Në Gllogjan nis ndërtimi i objektit të shkollës “Heronjtë e Dukagjinit”

Në Gllogjan nis ndërtimi i objektit të shkollës “Heronjtë e Dukagjinit”

21 August 2019 16:07

Shkolla fillore e mesme e ulët “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan të Deçanit, do të ketë një objekt të ri.

Pranë objektit ekzistues është vënë gurthemeli i tjetrës. U tha se kjo po bëhet që fëmijët të mësojnë me standarde evropiane. Shkolla, përveç tjerash ishte edhe bazë e UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Lumnije Avdijaj, tha se investimi në arsim është thelbi i së ardhmes.

“Të investosh në arsim frytet do të jenë të panumërta dhe afatgjata, andaj arsimi është thelbi i së ardhmes ku pa një sistem arsimor etik dhe pa mësues të zotë shoqëria jonë nuk mund të jetë e përparuar. Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen për të rinjtë, por mund të ndërtojmë të rinjtë për të ardhmen”, u shpreh Avdijaj.

Ministri i Arsimit në Kosovë, Shyqiri Bytyqi tha se është i privilegjuar që ndodhet në Deçanin, siç e quajti ai, heroik, i cili dha shumë dhe ishin në ballë që të mbronin edhe gjuhën edhe vendin.

Duke uruar banorët për shkollën e re, ai tha se kjo shkollë do t’i plotësojë standardet Evropiane në të cilën nxënësit do të kenë mundësi të thithin dije të barabartë me shumë të rinj të Evropës, transmeton kp. 

“Kur kemi kësi gëzime dhe kësi përurime nuk vihet në dyshim se duhet ta kujtojmë edhe të kaluarën pra kjo shkollë në të kaluarën luajti rolin si shumë shkolla të Kosovës në fakt, duke luajtur rolin e edukimit e arsimit, por luajtën edhe rolin patriotik pra kjo shkollë shërbeu si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të përgatitej këtu dhe të mbrohej popullata të mbrohej vendi dhe të mbrohej gjuha dhe të mbrohej shtetësia që ne e kemi e gëzojmë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se kanë trashëguar një qytet pothuajse inekzistent.

“Për neve është një ditë e gëzueshme sot sepse dalëngadalë si proces, e thash edhe njëherë Ministrit, Deçani e ka trashëgu një qytet pothuajse inekzistent e që s’ka pasua as shtëpi për t’i meremetuar, as shkolla, e as institucione publike. Është dashtë me rilindë jetën në këtë vend dhe dalëngadalë si proces kemi ardhur deri këtu, dhe sot jemi në këtë proces gjithashtu duke përmbyll një cikël në infrastrukturën shkollore, e që me na u hapë rruga edhe për cilësinë edhe për sigurimin e shkollave edhe për standardin që nxënësit tonë e meritojnë”, tha ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme