Një objekt banesor po planifikohet të ndërtohet në rrugën Reçaku, në Ferizaj.
Por, banorët përreth vendit ku kanë filluar punimet, thonë se ndihen të rrezikuar, raporton KTV.
Sipas tyre, investitori nuk posedon leje dhe për këtë janë ankuar disa herë në Komunë.
Derisa, të enjten, rastin e lajmëruan edhe në Policinë e Kosovës.
Por, pasi mori konfirmimin nga zyrtarët komunalë se investitori posedon lejen për kushtet ndërtimore, Policia u largua.
Pronari i tokës thotë se po ndërtohet në lagjen ku plani zhvillimor është për ndërtim të lartë dhe shton se nëse ka diçka të kundërligjshme, punimet do të ndërpriten.
Ndonëse komuna vendosi që të pezullohen lejet ndërtimore, drejtori i Urbanizmit, Lulzim Aliu, thotë se investitori e ka lejen për kushtet ndërtimore.
Megjithatë, banorët kanë thënë se për këtë do t’i shkruajnë edhe Ambasadës gjermane, meqë investitori jeton në Gjermani, pasi punimet ishin ndërprerë më 5 gusht, pas ankesës së tyre.
Muajin e kaluar, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu kishte marrë vendim që të pezullohej dhënia e lejeve ndërtimore, me qëllim të planifikimit më të mirë në këtë fushë.