Për të tretën herë, Gjykata Themelore e Prizrenit ia ka vazhduar masën e paraburgimit I. H., i cili dyshohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
“I vazhdohet paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditë, i cili do t’i llogaritet prej datës 01.08.2019, dhe do të zgjasë deri më datën 01.09.2019, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Lëndimi i rëndë trupor’, nga neni 186 par. 5 lidhur me par. 2 dhe 4 të KPRK-së, konform dispozitave të nenit 187 par. 1 nën par. 1.1 dhe 1.2 në lidhje me pikat 1.2.1 dhe 1.2.2 dhe 1.2.3. të KPPRK-së”, thuhet nga Gjykata Themelore në Prizren, raporton KTV.
Derisa Prokuroria Themelore ka disa javë që ka mohuar ta ketë marrë raportin e autopsisë të së ndjerës, KTV-ja ka arritur ta sigurojë atë. Televizioni kishte dërguar pyetje më 2 gusht, por Prokuroria kishte thënë që është në pritje të raportit. Pyetje të njëjta janë dërguar edhe më 9 gusht, mirëpo këtë herë Prokuroria nuk kishte kthyer asnjë përgjigje.
Por, disa burime të KTV-së kanë thënë se raporti i autopsisë i është dërguar Prokurorisë në Prizren, më 23 korrik të këtij viti. Në raportin që e ka siguruar televizioni sqarohen të gjitha lëndimet që e ndjera nga Rahoveci, e cila ishte e martuar në Nepërbisht të Suharekës, kishte pësuar.
Sipas këtij raporti, vdekja, e tani të ndjerës, ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive, gjakderdhjeve të shumta në indin trunor, të shoqëruara me thyerje të kafkës.
Më tutje, aty thuhet se këto dëmtime janë dëmtime të shkaktuara nga trauma e shumëfishtë dhe me besueshmëri kanë qenë të shkaktuara si pasojë e përplasjes së trupit në sipërfaqe të forta, e që nuk përjashtohet mundësia që tani e ndjera të ketë rënë nga vetura që ishte në lëvizje.
E për rastin në fjalë ka folur edhe avokati Zahir Hamza, i cili është autorizuar nga familja e viktimës të merret me rastin.
Ai ka thënë se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për dhunën që i është shkaktuar asaj.
Familjarë të së ndjerës kishin rrëfyer për KTV-në problemet që ajo kishte pasur me bashkëshortin dhe se e afërmja e tyre së pari ishte rrahur e më pas, duke u dërguar për në spital, kishte rënë nga vetura e bashkëshortit.
H. D., 54-vjeçare, kishte vdekur më 15 qershor, pas trajtimit dyjavor në mjekimin intensiv në QKUK.