Kosovë

Komuna anashkalon kriteret e veta në dhënien e subvencioneve

Foto: Koha
 

Komunarët e Podujevës nuk i kanë zbatuar kriteret e veta që i kishin përcaktuar në dhënien e subvencioneve për aktivitete kulturore, rinore e sportive që OJQ-të kishin aplikuar gjatë vitit 2018. Në listat e aplikantëve nuk i kishin regjistruar pikët në bazë të të cilave do të shpalleshin fituesit. Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj vjetor ka gjetur se zyrtarët komunalë të Podujevës e kishin përpiluar vetëm listën me përfitues, shkruan Koha Ditore.

“Rregullorja 04/20176 lidhur me subvencionimin e OJQ, neni 16, përcakton kriteret dhe proceduarat e vlerësimit të aplikacioneve. Për subvencionimin e OJQ-ve për organizimin e aktiviteteve kulturore, rinore, sportive, në thirrjen e datës 30/03/2018, komuna nuk kishte përpiluar listën e aplikuesve me pikët e përfituara nga secili, në bazë të cilave edhe do të përfitonin subvencionin. Komuna kishte përpiluar vetëm listën me emrat e përfituesve”, thuhet në raportin e ZKA për vitin 2018. “Për më tepër, një aplikues kërkesa e të cilit figuronte në librin e protokollit, nuk figuronte fare në lisën e aplikuesve. Komuna arsyetohet me faktin se kjo rregullore ka filluar se zbatuari në qershorin e vitit të kaluar dhe ende nuk janë familjarizuar mirë me kërkesat që dalin nga ajo. Derisa, sipas tyre, aplikuesi që nuk është në listë nuk kishte qenë rezident”.