INPO: Ministria e Mjedisit kufizon qasjen në dosjet e hidrocentraleve në Shtërpcë Foto: Ilustrim/Koha

INPO: Ministria e Mjedisit kufizon qasjen në dosjet e hidrocentraleve në Shtërpcë

19 July 2019 12:33

Organizata INPO ka reaguar për, siç thonë përmes një komunikate për media, paqartësive të cilave u ka kontribuar jotransparenca e organeve publike në nivelin qendror dhe komunal rreth ndërtimit të hidrocentraleve në Komunën e Shtërpcës po vazhdon t’i kontribuojë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Kjo Ministri, sipas INPO-s, ka refuzuar qasjen e INPO-s në dokumentet publike të dosjeve të këtyre hidrocentraleve.

Për këtë arsye, INPO reagon kundër kufizimit të qasjes në dokumente publike, respektivisht qasjes në pëlqimet, lejet, licencat që janë dhënë sipas kompetencës ligjore të MMPH-së për ndërtimin e hidrocentraleve në pellgun e lumit Lepenc.

INPO informon publikun se më 8 korrik 2019, përmes postës elektronike ka parashtruar kërkesë për qasje në dokumente publike në MMPH. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar 11 ditë nga data e parashtrimit të kërkesës, MMPH-ja nuk i është përgjigjur INPO-së, duke mos ofruar asnjë informatë zyrtare rreth statusit të kërkesës.

“Sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, afati për shqyrtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike është shtatë (7) ditë, dhe heshtja apo mospërgjigja e institucionit në kërkesë, konsiderohet refuzim i qasjes në dokumente publike. Në këtë drejtim INPO shprehet tejet e shqetësuar me mungesën e transparencës së MMPH-së për çështjen e ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve për të cilat ka pasur dhe ka protesta të vazhdueshme nga qytetarët e Komunës së Shtërpcës, dhe akoma më shqetësuese është mosgatishmëria e MMPH-së për të zbatuar parimet fundamentale të kushtetutës dhe ligjit për qasje në dokumente publike. E drejta e qasjes në dokumente publike dhe informata është e drejtë kushtetuese e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe si e tillë, duhet të zbatohet dhe të promovohet në vazhdimësi nga ana e institucioneve publike”, thuhet në reagim.

Mungesën e transparencës së MMPH-ë dhe institucioneve përgjegjëse, rreth ligjshmërisë së operimit të hidrocentraleve, mangësive dhe paqartësive lidhur me procesin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, e konstaton edhe Avokati i Popullit, shkruan tutje INPO në reagim, i cili sot kërkuar nga MMPH-ja që të pezulloi aktivitetet e hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpce, deri në dhënien e sqarimit për ligjshmërinë e operimit të hidrocentraleve në fjalë, si dhe sqarimet për kompetencat mes autoriteteve përgjegjëse.

“INPO fton MMPH-në që ta zbatoj ligjin për qasje në dokumente publike, dhe t`i ofroj qasje INPO-s dhe gjithë publikut në dokumente dhe informata zyrtare në lidhje me hidrocentralet në Shtërpcë. Po ashtu, duke qenë se kohëve të fundit në publik është duke u zhvilluar një debat gjithëpërfshirës lidhur më çështjen e operimit të hidrocentraleve dhe informatat zyrtare rreth ligjshmërisë së këtyre proceseve janë të paqarta për qytetarët dhe publikun në përgjithësi dhe rrezikut për shkaktimin e dëmeve të pariparueshme në mjedis, INPO përkrahë zbatimin e masës së përkohshme të lëshuar nga Avokati i Popullit për pezullimin e aktiviteteve të hidrocentraleve Shtërpcë dhe Deçan”, përfundon reagimi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme