Arbëri

Ndërtimet pa leje dëmtojnë tokat bujqësore të Pejës

Raporti i vlerësimit strategjik mjedisor të Planit Zhvillimor Komunal (PZhK) të Pejës, i punuar nga një kompani profesionale e angazhuar nga Komuna, ka konfirmuar gjendjen jo të mirë aktuale të Komunës së Pejës nga aspekti mjedisor.

Me këtë raport janë paraqitur degradimet e konstatuara që janë bërë vite me radhë që nga paslufta në tokat bujqësore, pyjet, degradimet nga ndërtimet e pakontrolluara, ndotja e ujërave mbitokësore dhe nëntokësore nga mbeturinat dhe ujërat e zeza të patrajtuara, shkatërrimi i shtratit të lumenjve nga eksploatimi i zhavorrit, degradimi i mjedisit nga gurthyesit, ndotja e tokës edhe nga ndërtimet ilegale, shkruan sot Koha Ditore.

Islam Fejza nga kompania që e ka bërë këtë vlerësim strategjik mjedisor tregoi se është konstatuar dëmtim i madh i shtratit të Lumëbardhit në pjesët jashtë qytetit, që rrjedh nëpër disa fshatra. Në disa pjesë lumi ka vërshuar tokat bujqësore, sepse pasi është nxjerrë zhavorri nuk është rregulluar shtrati nga eksploatuesit dhe, sipas tij, në disa pjesë nuk dihet se ku e ka pasur lumi rrjedhën e vet. Gjithashtu edhe tokat bujqësore janë shkatërruar duke u shfrytëzuar për ndërtim.

(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)