Arbëri

Opozita në Lipjan akuzon militantët e ekzekutivit për mosrespektim të orarit të punës

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, nëpërmjet një shkrese ka akuzuar ekzekutivin e komunës me arsyetim se zyrtarët e institucioneve publike gjatë orarit të punës shpeshherë po i frekuentojnë kafenetë e qytetit.

Sipas PDK-së nëpër kafene gjatë orarit të punës më së shumti po vërehen zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale të cilët sipas tyre janë punësuar pa kritere. PDK-ja ka bërë të ditur se militantët e punësuar nuk po gjejnë as karrige për t’u ulur në zyrë. PDK-ja, ka njoftuar se janë duke i monitoruar të gjitha institucionet publike për çdo lëvizje dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, transmeton Koha Ditore.

“Kryetari i komunës së Lipjanit Imri Ahmeti i ka stërngarkuar institucionet publike me punësime të militantëve partiak pa kritere, ndërkohë ata zyrtar nuk po gjejnë as karrige për t’u ulur nëpër zyre. Si pasojë e kësaj, këta militant partiak gjatë orarit të punës vazhdimisht po i frekuentojnë kafenetë e qytetit. PDK-ja gjatë së premtes dhe gjatë javës së kaluar ka realizuar disa fotografi dhe video derisa militantët e qeverisjes lokale të punësuar pa kritere në sektorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vërehen duke dalë nga institucioni për të pirë kafe në njërin nga restaurantet e qytetit”, thuhet në shkresën e PDK-së.

Sipas PDK-së, po ashtu edhe shefat e sektorëve të QPS-së të cilët janë ngritur në pozita në mënyrë të jashtëligjshëm shpeshherë po vërehen duke pirë kafe nëpër restauronte gjatë orarit të punës. “Kësaj here ekzekutivi i komunës nuk do të reagoi ndaj komunikatës sonë sepse ne pastaj mund t’ia publikojmë fotografitë dhe videot për secilin zyrtar i cili po e keqpërdor orarin e punës. Mirëpo, ne kërkojmë të merren masa ndaj të gjithë atyre që nuk e respektojnë orarin e punës sepse në numër janë të shumtë dhe në anën tjetër qytetarët po mbesin pa shërbime”, thuhet më tej një komunikatë.