Arbëri

Shefi i Prokurimit në Komunën e Prizrenit akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Foto: Koha / ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, të martën, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër shefit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas organit të ndjekjes, Osmankaj akuzohet se në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik, ka lejuar zbatimin e një kontrate, e cila nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ishte anuluar.

Në anën tjetër Osmankaj është shprehur i gatshëm për ballafaqim me organet e drejtësisë, për ta vërtetuar pafajësinë e tij. Ndërsa organet drejtuese komunale gjatë ditës nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim lidhur me këtë çështje, shkruan sot Koha Ditore.

Prokuroria në Prizren përmes një komunikate ka bërë të ditur se Departamenti i Krimeve të Rënda “ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet I.O., në cilësi të personit zyrtar si shef i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)