Arbëri

Ministria e cilëson të kundërligjshëm vendimin për lokacionin e xhamisë

Kuvendi Komunal i Lipjanit për herë të dytë e ka përsëritur të njëjtën shkelje ligjore lidhur me vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e xhamisë në fshatin Llugaxhi. Pas vendimit të fundit të KK-së me nr.463-20391, një grup banorësh nga ky fshat kanë adresuar një shkresë zyrtare në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërkohë kjo ministri e ka cilësuar të kundërligjshëm atë.

Nëpërmjet një shkrese, një kopje të së cilës e ka pranuar edhe kryesuesi i KK-së, Daut Azemi, midis të tjerash, thuhet se në pajtim me Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 01/2016 për shqyrtimin administrativ të ankesave të komunave, Departamenti Ligjor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka pranuar për shqyrtim shkresën nga një grup i banorëve të fshatit Llugaxhi.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pas shqyrtimit të kërkesës së lartcekur me materialin e dorëzuar jep këtë përgjigje se lidhur me vendimin e Kuvendit Komunës së Lipjanit nr.463-20391 të datës 20.03.2019 për caktimin e lokacionit për ndërtimin e xhamisë në fshatin Llugaxhi, MMPH-ja, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të Komunës si më sipër, ka vlerësuar se akti i Komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet, midis të tjerash, në shkresën e MMPH-së, një kopje të së cilës e ka siguruar edhe “Koha Ditore”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)