Veprimtarinë e një gurthyesi, banorët e fshatrave të rajonit të Hasit po e kundërshtojnë me protestë. Ata, të mërkurën, janë mbledhur në fshatin Kusar të Gjakovës, aty ku po planifikohet ndërtimi i gurthyesit.
Banorët thonë se nuk do të lejojnë që të shkatërrohet natyra e këtij rajoni, duke shtuar se me planin zhvillimor të Komunës, kjo zonë është me prioritet për mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e turizmit, raporton KTV.
Por, përfaqësues të kompanisë “Alkos H&S” thonë se kanë leje për ta nisur punën.
Banorët kanë marrë mbështetje nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini.
Ai ka thënë të ketë kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Qeveria që t’i revokohet leja gurthyesit.
Sipas tij, Komuna gjatë këtij viti, parasheh që të investojë në këtë zonë dhe ta kthejë në pikë turistike.
KTV-ja ka pyetur edhe Ministrinë e Mjedisit nëse kompania ka leje ashtu siç pretendon, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.