Arbëri

Obiliqi do ta padisë KEK-un pasi s’po punëson banorët e kësaj komune

Përmes një seance të jashtëzakonshme Kuvendi Komunal i Obiliqit ka vendosur që të kërkohet pezullimi i konkursit të fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës pasi s’po i punëson banorët e kësaj komune, bazuar në vendimin e Qeverisë.

Kjo komunë ka vendosur ta padisë KEK-un për mosimplementim të Ligjit për Obiliqin.

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se nga KEK-u nuk po respektohet as Ligji për Obiliqin e as vendimi i qeverisë.

Sipas tij në konkursin për punësim në KEK banorët e kësaj ane janë neglizhuar dhe nuk u është dhënë prioritet për punësim ashtu siç u është premtuar, raporton KP.

Replika te shumta pati në mes kryetari Gashi dhe asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Aziz Bici i cili tha se me seanca të tilla po tentohet që të manipulohet me banorët e Obiliqit.

Shefi i Grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaip Paloja tha se ligji për Obiliqin nuk është dhuratë për banorët e kësaj ane, por dhuratë për dikë që po i konvenon.

Edhe ai potencoi se Ligji për Obiliqin nuk po implementohet aspak.

Në këtë seancë të pranishëm ishin edhe banorët e Hades e Shipitullës të cilët shprehën shqetësimet e tyre për punësimin në KEK. Në emër të banorëve të Shipitullës foli Shaban Krasniqi i cili tha se po ndihen të diskriminuar sa i përket punësimeve, Ai tha se kjo ishte kërkesa e vetme e tyre në këmbim të mos ndërprerjes së energjisë elektrike.

Në emër të banorëve të Hades foli edhe asamblisti nga AAK-ja, Labinot Mirena i cili paralajmëroi edhe protesta në rast të mos plotësimit të kërkesave të tyre.