Arbëri

Ushtarët italianë në Pejë nisin aksionin e dhurimit të gjakut

Ushtarët e Grupit Luftarak Shumëkombësh Perëndim (MNBGW) të KFOR-it në Pejë filluan një nismë për dhurimin e gjakut në qendrën e transfuzionit të gjakut në Pejë. Iniciativa e dhurimit të gjakut me moton “Dhuro jetë- dhuro gjak”, siç njofton zyra për informim e këtyre trupave paqeruajtëse, ka qenë e komandantit të MNBGW, kolonelit Gianfranco Di Marco dhe stafit të tij mjekësor, të cilët kanë koordinuar aktivitetin me drejtorin e Spitalit Rajonal të Pejës, Skënder Dreshaj dhe me njësinë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC), për të përballuar nevojën për gjak për trajtimin e rasteve klinike më të rënda.

“Nga sot, për tri të premte rresht, ushtarët italianë të bazës Camp Villaggio Italia do të alternohen në një gjest solidariteti njerëzor dhe konkret në të mirë të popullatës së Kosovës. Dhurimi i gjakut do të bëhet në ambulancën e bazës ushtarake, ku përveç mjekëve ushtarakë është i pranishëm edhe personeli nga Qendra e Transfuzionit Mobil të Spitalit të Pejës, që garanton falas analizën e plotë të gjakut për të gjithë dhuruesit. Përgjigjja e ushtarëve italianë të KFOR-it ishte e shpejtë dhe me plot entuziazëm. Në fakt, një numër i madh i ushtarëve iu bashkuan kësaj iniciative”, thuhet në këtë njoftim të lëshuar nga shefi i zyrës së informimit të MNBGW, Gennaro Troise.

Sipas tij, ushtarët e KFOR-it garantojnë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe gjithmonë kanë treguar ndjeshmëri ndaj popullatës civile dhe në veçanti ndaj atyre në nevojë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)