Parlamenti studentor akuzon Nismën për ndikim në zgjedhjen e rektorit

Parlamenti studentor akuzon Nismën për ndikim në zgjedhjen e rektorit

Fisnik Minci 08 May 2019 12:31

Parlamenti Studentor i universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ka shprehur qëndrimin se partitë politike po ndikojnë drejtpërdrejt në konkursin për zgjedhjen e rektorit të këtij universiteti. PS i UPZ-së ka bërë të ditur se po e ndjek me shqetësim procesin e zgjedhjes së rektorit dhe njëkohësisht ka akuzuar anëtarët e NISMA-s Socialdemokrate për tentim të ndikimit tek anëtarët e Këshillit Drejtues për zgjedhjen e rektorit.

“...Dje me datë 6 maj është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues, ku në rend dite ka qenë e paraparë të zgjidhet rektori i Universitetit, por në momentet e fundit për arsye të panjohura kjo gjë është shtyrë për mbledhjen tjetër. Nga e gjithë kjo po shihet qartë që ka ndikime të drejtpërdrejta nga partitë politike edhe në këtë konkurs. E për këtë gjë më së miri flet kjo foto (e publikuar në rrjete sociale v.j.) e cila është bërë dje në UPZ gjatë intervistimit të kandidatëve për rektor, ku shihen u.d. rektori i tanishëm, prof. Ismet Temaj së bashku me Demir Limajn, vëllai i kryetarit të Partisë Nisma, e cila udhëheq MASHT-in. Demir Limaj, i angazhuar së fundmi në UPZ, për të cilin flitet që do të vijë edhe si profesor i rregullt, së bashku me disa militantë të Nismës ka qëndruar gjatë tërë ditës së djeshme në kampusin e UPZ-së duke tentuar të ndikojë tek anëtarët e Këshillit Drejtues në zgjedhjen e Rektorit”, thuhet në reagimin e PS të UPZ-së. Ky parlament ka vlerësuar se këto pazare nuk i kanë hije një Universiteti. “Por disa individë me qëllim të vetëm interesin klanor, pa fije turpi po e rrënojnë punën e bërë me mund e sakrificë në UPZ”.

PS i UPZ u ka bërë thirrje akterëve nga skena politike që t’i mbajnë larg duart nga Universiteti.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme