Arbëri

Shpërfillet kërkesa e opozitës në Lipjan për raportim të gjendjes së arsimit

Këshilltarët në Kuvendin Komunal të Lipjanit nga radhët e opozitës prej tre muajsh po e kërkojnë një raport nga komuna në lidhje me gjendjen e sektorit të arsimit në përgjithësi, mirëpo deri tashti kërkesat e tyre janë shpërfillur.

Një debat i gjatë rreth kësaj teme është zhvilluar edhe në mbledhjen e fundit të KK-së derisa opozita ka publikuar një varg parregullsish në lidhje me sektorin e arsimit me arsyetim se komuna nuk po e sjellë një raport të tillë për institucionet shkollore. Sipas këshilltarëve nga radhët e PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Drejtoria komunale e Arsimit përveç të tjerash do të duhej të ndërhynte tashmë duke identifikuar dhe evidentuar të gjithë psikologët të cilët nuk po e kryejnë punën për të cilën janë kompetentë dhe për të cilën marrin paga në baza mujore nga paratë e taksapaguesve, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas këtyre dy subjekteve opozitare, një raport i gjendjes së arsimit nëpër shkollat e Komunës së Lipjanit do të shpërfaqte disa nga problemet e shumta të cilat pastaj do të mundë të adresoheshin dhe do të kërkohej zgjidhja e tyre.

Albulena Kelmendi, këshilltare në KK të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ka kohë që këshilltarët po e kërkojnë që të sillej në Kuvend një raport për gjendjen në sferën e arsimit, sepse sa i përket arsimit në përgjithësi në këtë komunë ka shumë për t'u thënë dhe për t’u bërë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)