Arbëri

Kundërshtohet lidhja e një fshati të Kllokotit në ujësjellësin e Vitisë

Subjektet opozitare në Viti po kundërshtojnë lidhjen e fshatit Mogillë të Kllokotit në ujësjellësin regjional “Hidromorava” .

PDK-ja dhe VV-ja vlerësojnë se në shumë fshatra të Komunës së Vitisë nuk është funksionalizuar sistemi i ujësjellësit dhe se banorët kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijes, ndaj në këtë kontekst e konsiderojnë të palogjikshëm vendimin që një fshat nga një komunë tjetër të lidhet në rrjetin e ujësjellësit të Vitisë. Qëndrimin e tyre e ka mbështetur edhe Nisma Socialdemokrate, shkruan sot Koha Ditore.

Këshilltari nga radhët e VV-së, Jakup Demiri, deklaron se ata janë kundër çdo iniciative që fshatrat e tjerë të lidhen në rrjetin aktual të ujësjellësit në Viti. “Fshatrat e Vitisë nuk kanë furnizim me ujë dhe kemi fshatin Skifteraj dhe rrjeti është, mirëpo nuk është funksionalizuar. Në fshatrat e Vitisë ku banorët paguajnë tatime nuk i kyçin në ujësjellës, kurse marrin iniciativa për lidhje në ujësjellës të fshatrave të tjera. Dhe në këtë nuk do të pranojmë, sepse si këshilltar komunal kemi presion nga banorët, sepse tash e 5 vjet rrjeti i ujësjellësit është, mirëpo nuk është funksional nëpër fshatra. Dhe tek rrjeti i kanalizimit shumica nuk ka pranim teknik dhe nuk funksionojnë”, ka thënë ai.

E kolegu i tij nga radhët e PDK-së, Bekim Azizi, thotë se kanë informata se edhe fshatra të tjerë duan të bëjnë të njëjtin veprim, ndaj ka shfaqur kundërshtimin.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)