PDK e Fushë Kosovës thotë se qytetarët e kësaj komune u diskriminuan me linjën Prishtinë-Aeroport

PDK e Fushë Kosovës thotë se qytetarët e kësaj komune u diskriminuan me linjën Prishtinë-Aeroport

04 May 2019 15:53

​Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Fushë Kosovë, ka reaguar në lidhje me linjën e re të autobusit Prishtinë-Aeroport, duke thënë se Ministria e Infrastrukturës ka diskriminuar qytetarët e Fushë Kosovës, duke u pamundësuar atyre shfrytëzimin e kësaj linje.

Në reagimin e saj në Facebook, PDK-ja thotë se ka kërkuar që të ndërpritet ky diskriminim ndaj qytetarëve të kësaj komune, duke kërkuar që autobusi me destinacion aeroportin e Prishtinës të këtë një ndalesë tek rrethi në Fushë Kosovë.

“Nuk është hera e parë që qytetarët e Fushë Kosovës diskriminohen në këtë formë. I bëjmë thirrje Ministrisë së Infrastrukturës që rrugët e Fushë Kosovës të mos i shfrytëzojë vetëm për tranzit, por këto rrugë të jenë edhe në shërbim të qytetarëve të Fushë Kosovës. Kërkojmë që kjo linjë e autobusëve të ketë një ndalesë tek rrethi në Fushë Kosovë, në të kundërtën, qytetarët e Fushë Kosovës do të organizohen në forma tjera”, shkruan më tutje PDK në faqen e saj në Facebook.

Më tej, kjo parti ka hedhur kritika edhe ndaj heshtjes së qeverisjes komunale të Fushë Kosovës lidhur me këtë çështje, e cila sipas tyre, nuk bën asnjë lëvizje në drejtim të shërbimit dhe interesave të qytetarëve.

“E qeverisja e dështuar komunale e Fushë Kosovës, si zakonisht, u zu në befasi, e cila nuk bën asnjë përpjekje në shërbim dhe në interes të qytetarëve. Neglizhenca e komunës ndaj përgjegjësive që ka, po bënë që Fushë Kosova të jetë veç vend tranzit”, thuhet në fund të reagimit të Degës së PDK-së në Fushë Kosovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme