Arbëri

Haradinaj e Veseli, homazhe në Gllogjan për nderë të Heroit Agim Selmanaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Agim Selmanaj.

Me këtë rast, Haradinaj para të pranishmëve të shumtë, deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë, tha se ka nderin që sot t'i bashkohet homazheve aty ku pushon Agimi dhe dëshmorët e heronjtë e tjerë të Kosovës.

“Bëhet fjalë për një familje, që ndër breza iu kushtuan lirisë. Këtu kemi babën, axhallarët, të cilët ishin të burgosur politikë, ishin në luftë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, Agimi ishte që në ditët e para të luftës dhe në njësitet e para në Gllogjan.

Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se, në këto ditë, anekënd Kosovës, janë duke përkujtuar dhe nderuar dhimbjen dhe sakrificën e të rënëve të Kosovës, që ranë në altarin e lirisë.

“Jemi sot në Gllogjanin e lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjanin e Luanit, Shkelzenit dhe dhjetëra deshmorëve të tjerë dhe, po ashtu sot kujtojmë një djalë të ri, Agim Selmanajn, i cili kishte më pak se 20 vjet”, tha Veseli, duke shtuar se ai ishte çmimi i sakrificës, i shtetit të Kosovës.

Në emër të familjes së Heroit Agim Selmanaj, foli deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Selmanaj, i cili falënderoi të gjithë për nderimin që po i bëjnë Heroit, por edhe gjithë familjes.