Arbëri

Obiliqi ia ndërron emrin sheshit të emërtuar para pesë muajsh

Komunarët e Obiliqit ia kanë ndërruar emrin sheshit të qytetit “Adem Preniqi”, që ia kishte vendosur më 30 tetor të vitit të kaluar. Ky shesh që bartte emrin e ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal, Adem Preniqi, kishte hasur në kundërshtim nga shoqatat e dala nga lufta, por edhe të Lëvizjes Vetëvendosje dhe asaj për Bashkim.

Bile, kjo e fundit kishte dalë nga koalicioni me AAK-në në këtë komunë për shkak të mospajtimeve me këtë emër. Pas pesë muajve, emërtimi i sheshit është ndërruar dhe tash në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal i është vendosur “Dëshmorët e Kombit”. Ky kishte qenë propozim i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, por që nuk ishte hedhur fare në votim, në tetor të vitit të kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Obiliqit pse për kaq pak muaj është ndërruar emri, kush ka bërë kërkesë dhe nëse vlejnë arsyet për ish-kryesuesin Preniqi, që i kishin dhënë kur ia kishin vendosur këtë emër, që ishte propozuar nga vetë kryetari i Komunës, Xhafer Gashi. Por, përgjigjet kanë munguar. Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së veteranëve të UÇK-së në Obiliq, Fehmi Mjeku, që kishte qenë kundër emërtimit të sheshit me emrin “Adem Preniqi, ka thënë se presionet kanë bërë që të ndryshojë emri i sheshit. Ai ka thënë se nuk janë informuar nga zyrtarët komunalë për këtë ndryshim.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")