Opozita në Komunën e Gjilanit, të mërkurën, i ka ndarë “mirënjohje” kryetarit Lutfi Haziri. Ajo është vendosur në dyert e zyrës së kryetarit Haziri.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) kanë akuzuar kryetarin e Komunës së Gjilanit se në vazhdimësi është duke tentuar t`i mashtrojë banorët e kësaj komune me çmime të rrejshme, të cilat i pranon nga organizata fantome. Ata kanë deklaruar se aksioni të cilin e kanë zhvilluar para objektit të Komunës, ditën e mërkurë, është rikujtim për mospunën e qeverisjes komunale e cila edhe më tej nuk ka arritur që të gjejë një zgjidhje sa i përket problemit me kundërmimin e ujërave të zeza, si dhe ka dështuar në mungesën e finalizimit të projekteve të ndryshme, dhe ka lejuar ndërtimet pa kritere të cilat kanë degraduar edhe zonën urbane, shkruan sot Koha Ditore.
Aktivisti i Vetëvendosjes, Adem Ajvazi, ka deklaruar se ato mirënjohje, të cilat i kanë ndarë për kryetarin e Komunës kanë të bëjnë me zotimet të cilat nuk janë përmbushur dhe për mosfunksionimin e qeverisjes komunale në shumë sektorë. Sipas tij, kryetari i Komunës duhet të merret me zgjidhjen e problemeve të cilat po e rëndojnë më shumë jetën e qytetarëve të kësaj komune.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")