Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ofroi 150 vende pune për studentë

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ofroi 150 vende pune për studentë

Agim Ademi Agim Ademi 18 April 2019 15:30

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në bashkëpunim me bizneset kosovare dhe me mbështetjen e GIZ-i gjerman kanë organizuar panairin e dytë të punës nëpërmjet të cilit janë ofruar 150 vende të reja të punës nga bizneset e ndryshme për studentët.

Kontrata e parë në këtë panair është nënshkrua ndërmjet kompanisë “ANB Baliu” dhe Endrit Tashollit, student i Arkitekturës së Interierit dhe Dizajnit të Mobileve.

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, profesor, Dr. Agron Bajraktari, me këtë rast ka thënë se panairi i Punës në këtë universitet tashmë ka kaluar në traditë, andaj interesimi i kompanive është mjaft i madh. Sipas tij, parlamenti i studentëve në këtë universitet që nga themelimi i tij, kurrë nuk u ndalën duke shprehur interesat dhe kërkesat e studentëve duke i dhënë motiv që udhëheqësit e universitetit të mos ndalen asnjëherë duke krijuar kushte për profesionalizmin e studentëve. “Synimi jonë është që 50 për qind të kohës studentët t’i kalojnë nëpër kompani dhe këtë dita-ditës po e arrijmë. Ne kemi shumë rrugë për të bërë së bashku me studentët, kompanitë, dhe stafin akademik e administrativ dhe së bashku jemi të bindur që do t’i arrijmë majat më të larta të suksesit”, ka thënë Bajraktari, transmeton Koha Ditore.

Drejtori i Arsimit në komunën e Ferizajt Afrim Llabjani, me këtë rast ka kërkuar nga të rinjtë të orientohen sa më shumë drejtë arsimit profesional në mënyrë që studimet e tyre të përshtaten me tregun e punës dhe kështu sipas tij e ardhmja e vendit nesër të jetë më e mirë. “Jemi të vetëdijshëm për sfidat që po kalon vendi ynë, por ne jemi duke u përpiqur që sistemi ynë i arsimit sot të jetë bazament që ju aftëson dhe ju zhvillon që nesër të mateni e të konkurroni ku do”, ka thënë ai.

Rahim Trepca, përfaqësues nga GIZ-i gjerman, ka thënë se ky panair është mundësi e mirë për studentët që të takojnë punëdhënësit e tyre potencial.

Ndërkaq, Bujar Baliu përfaqësues i kompanisë "ANB Baliu”, tha se tashmë kanë nënshkruar kontratën e parë me një student i cili do të punoi si arkitekt dhe dizajner i mobiljeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme