Skenderaj u ofron pacientëve shërbime shëndetësore edhe në shtëpitë e tyre

Skenderaj u ofron pacientëve shërbime shëndetësore edhe në shtëpitë e tyre

11 April 2019 12:17

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, dhe drejtori i përgjithshëm i Caritas Kosova, Don Viktor Sopi, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit, për realizimin e projektit “Ngritja e përkujdesit për shërbime sociale dhe shëndetësore në shtëpi dhe ambulanta në rajonin e Komunës së Skenderajt”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Jashari ka thënë se ky shërbim ka për qëllim që të ndihmojë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në realizimin e vizitave për të gjithë pacientët që marrin mjekimin në shtëpi, që në pamundësi për shkaqe të ndryshme shëndetësore, nuk kanë mundësi t’i vizitojnë qendrat mjekësore, qoftë në vendbanimin e tyre apo edhe në qytet, transmeton Koha.net.

“Togfjalëshi ‘sa më afër qytetarit’ merr kuptim me anë të këtij shërbimi, ku ekipet mjekësore profesionale, sipas modelit Caritas Gjerman, do t’u ofrojnë shërbime shëndetësore personave në moshë, të vetmuarve dhe rasteve të rënda sociale në shtëpitë e tyre”, është shprehur Jashari.

Periudha kohore e implementimit të kësaj marrëveshjeje është dy vjeçare, dhe fillon nga 1 prilli i këtij viti deri më 31.12.2020.​

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme