Vesel Rukolli nga fshati Rezallë e Komunës së Skënderajt, ka ardhur për të vendosur lule në varrin e zbraztë që mban emrin e babait të tij.
Ai, edhe pas dy dekadave nga lufta në Kosovë, vazhdon t’i kërkojë eshtrat e babait të vet, raporton KTV.
Më 5 prill të vitit 1999, serbët rrethuan shtëpitë e tyre, ku pushkatuan burra e djem të rinj.
Në masakrën e Rezallës u vranë e u masakruan nga forcat serbe, 98 persona, në mesin e tyre edhe fëmijë.
Edhe 20 vjet pas kësaj masakre,7 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Homazhe te kompleksi memorial i këtij fshati, kanë bërë edhe deputetë e udhëheqës të Komunës së Skënderajt.
Familjarët e të vrarëve kanë kritikuar institucionet e vendit për organizim të aktiviteteve në kryeqytet, e jo në Rezallë.
Në akademinë përkujtimore në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, të organizuar nën patronatin e presidentit Hashim Thaçi, u tha se kjo masakër mbetet plagë e hapur për Kosovën.