Arbëri

Në Malishevë vazhdon problemi me rriqrat – për 1 muaj janë pickuar gjashtë persona

Gjashtë persona janë pickuar nga rriqrat në Malishevë, që nga data 2 mars.

Mirëpo, sipas drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, asnjëri nga pickimet nuk ka rezultuar me infeksion, raporton KTV.

Nuhi Morina thotë se stafi i QKMF-së në Malishevë, është i përgatitur për t’i trajtuar tutje rastet e pickimit të rriqrave.

Ndërkohë, në fshatrat Balincë dhe Mleqan të kësaj komune, të mërkurën është bërë repelimi i kafshëve për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike.

Përfaqësuesi i kompanisë që merret me këtë proces, ka treguar se te kafshët do të ketë edhe dy sesione të repelimit.

Banorët e Balincës kanë treguar se ka pasur raste kur në këtë fshat kanë vdekur njerëz dhe kanë ngordhur kafshë, si pasojë e pickimit nga rriqrat.

Si formë tjetër e parandalimit të pickimit nga rriqrat, do të jetë edhe dezinsketimi në natyrë, i cili do të nisë në gjysmën e muajit maj. Për këtë, Komuna e Malishevës ka ndarë 70 mijë euro.

Nga paslufta e deri në vitin 2013, në Malishevë, 18 persona kanë vdekur nga ethet hemorragjike.Ndërsa nga viti 2014, përveç numrit të madh të pickimeve, nuk ka pasur viktima.