Arbëri

Shqiptarët e Shushicës e akuzojnë Komunën e Graçanicës për investime selektive

Banorët e fshatit Shushicë të Komunës së Graçanicës po ndihen të diskriminuar nga pushteti i kësaj komune. Pos banorëve shqiptarë, të diskriminuar janë edhe serbët e këtij fshati. Por ata nuk kanë guxuar të shprehen publikisht. 

Ndërkohë, banorët shqiptarë thonë se investimi i fundit i pushtetit të kësaj komune në pjesën ku ata banojnë është bërë në vitin 2010-2011. Prej atëherë, thonë se dora e qeverisë komunale që udhëhiqet nga Lista Serbe ka munguar.   

Driton Krasniqi, që jeton në rrugën e paasfaltuar “Feriz Krasniqi”, ka thënë se projekti i fundit i Komunës ka qenë ndërtimi i kanalizimit, por edhe ai nuk është bërë gjatë kohës sa qeveris Lista Serbe, transmeton Koha Ditore. 

“Rruga ‘Feriz Krasniqi’ që ka një gjatësi prej 400 metrave është e paasfaltuar. Telashe kemi se po na dëmtohen veturat. Ndriçim nuk kemi hiç. Kemi kërkua disa herë prej Komunës. Përgjigjja e tyre është se ‘do të rregullohet’, po nuk ka asgjë. Kanalizimi ka qenë investimi i fundit i Komunës që e ka bërë në fshatin tonë në vitin 2010-2011. Diçka tjetër prej atij viti nuk më kujtohet se ka pasur nga ana e Komunës”, është shprehur ai. 

Edhe bashkëfshatari i tij, Valdrin Shala, thotë se ekzekutivi komunal i Graçanicës nuk është duke e investuar asnjë cent në pjesën ku banojnë ata. 

Të diskriminuar ka thënë se janë edhe zëvendëskryetari i fshatit Shushicë, Arsim Krasniqi. Sipas tij, zyrtarët komunalë nuk i pranojnë as në takim e lëre ma të investojnë diçka. 
 
Përfaqësuesi i fshatit në pjesën shqiptare thotë se shpresa e vetme  u ka mbetur Qeveria e Kosovës, së cilës ka thënë se do t’i drejtohen për hallet e problemet që kanë për shkak të mosinvestimeve nga Komuna.   

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë të Graçanicës prej datës 8 mars, por ato kanë munguar....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")