Arbëri

Lansohet projekti “Ruje, mos e gjuj”

“Green Art Center” ka nënshkruar sot memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me komunën e Vushtrrisë dhe me “Coca Cola HBC Kosova” për projektin “Ruje, mos e gjuj”, i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e sistemit të duhur për menaxhimin e mbeturinave dhe riciklimit në përgjithësi.

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen një sërë aktivitetesh me qëllim që të mblidhen dhe riciklohen shishet e plastikës si dhe kanaçet.

Ky projekt u lansua pikërisht sot, në Ditën Botërore të Riciklimit, dhe do të implementohet prej këtij muaji e deri në nëntor të vitit 2019.

Drejtoresha ekzekutive e GAC-it, Merlina Beu-Muçaj, tha se kështu po u bashkëngjitet të gjitha aktiviteteteve të GAC-it në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe që do të ndihmoj në ngritjen e vetëdijes qytetare për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme në burim.

“Ky projekt nën moton 'Ruje, mos e gjuj', e jep vetvetiu mesazhin për rëndësinë e riciklimit, si vlerë ekonomike të asaj që në jetën e përditshme i quajmë mbeturina”, tha Beu-Muçaj derisa po lansohej kjo kampanjë.

E ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se projekti 'Ruje, mos e gjuj', është shembull i mirë i vetëdijesimit të qytetarëve mbi rëndësinë e mbledhjes dhe riciklimit të shisheve dhe kanaçeve për të evituar ndotjen e mjedisit.

Ai, bëri të ditur se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e GIZ-it, këtë vit ka nisur hapat për krijimin e sistemit të kthimit të depozitave dhe rimbursimit për çdo shishe të kthyer. “Kjo sigurisht se do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit nga ndotja. Krahas kësaj, në fushën e menaxhimit të mbeturinave, ne, bashkë me GIZ-in, kemi lansuar edhe një grant prej 7 milionë eurosh për të mbështetur komunat në këtë fushë”, theksoi ministri Matoshi.

Ndërkohë, Komuna e Vushtrrisë është një nga partnerët kryesor ku do të implementohet projekti.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri tha se qyteti i Vushtrrisë po bëhet lider për ndarjen e mbeturinave në burim.

Ai ka falënderuar korporatën Coca-Cola HBC Kosova, për angazhimin në këtë projekt dhe ka ftuar edhe korporatat tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.

Projekti 'Ruje, mos e gjuj' do të implementohet nga organizata joqeveritare Green Art Center në këto lokacione: Qendra e Studentëve në Prishtinë, Kolegji AAB, Kolegji RIT dhe 500 familje në komunën e Vushtrrisë.