Rahoveci përkrah projektin e Bankës Botërore për modernizimin e rrjetit të ujitjes

Rahoveci përkrah projektin e Bankës Botërore për modernizimin e rrjetit të ujitjes

15 March 2019 15:43

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se Banka Botërore do të financojë projektin e rehabilitimit dhe modernizimit të rrjetit të ujitjes në sistemin e “Radoniqit”, duke shtuar se fermerët e kësaj komune do të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij projekti.

Sipas tij, organet komunale do të përkrahin realizimin e këtij projekti, që pritet të fillojë gjatë këtij viti, transmeton Koha Ditore.

“Banka Botërore do të financojë projektin e rehabilitimit dhe modernizimit të rrjetit të ujitjes në sistemin e Radoniqit. Vlera e projektit do të jetë 13.5 milionë euro. Tashmë ka përfunduar fizibiliteti i projektit dhe në prill – maj do të fillojnë procedurat për zbatimin i tij”, ka njoftuar kryetari Latifi përmes rrjeteve sociale.

Ai ka theksuar se pjesa dërrmuese e projektit kalon nëpër territorin e Komunës së Rahovecit.

“Ky është një lajm shumë i rëndësishëm për Komunën tonë pasi që ne do të jemi përfituesit më të mëdhenj – pjesa dërrmuese e projektit e kap territorin e Komunës së Rahovecit! Me përfundimin e kësaj faze të rehabilitimit dhe modernizimit të rrjetit ekzistues do të hapet rruga për fazën e dytë, ku përfshihet edhe zgjerimi i rrjetit deri në 8000 ha, duke përfshirë edhe pjesë kodrinore dhe vreshtarë”, ka theksuar Latifi. Ai ka bërë të ditur se në këtë takim kanë marrë pjesë koordinatorja e projektit të Bankës Botërore, Arlinda Arënliu dhe Avdullah Nishori, si dhe drejtori i “Radoniqit”, Jahja Kadria, “të cilët i sigurova për mbështetjen e Komunës së Rahovecit në këtë projekt”.

Investimet në sistemet e ujitjes sipas zyrtarëve qeveritarë të Kosovës janë të domosdoshme për zhvillimin e mëtejmë të sektorit të bujqësisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme