Memorandumi i nënshkruar një ditë më parë në mes të kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, dhe ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ia ka siguruar kësaj komune shumën prej 650 mijë eurosh për realizimin e tri projekteve të infrastrukturës rrugore, që priten të nisin menjëherë pasi të përfundojnë procedurat tenderuese.
Nga kjo shumë prej 650 mijë eurosh e ndarë nga Ministria e Infrastrukturës, do të përfitojnë tri projekte. Projekti për zgjerimin e rrugës kryesore, që kalon nëpër qytetin e Deçanit, projekti për rregullimin i rrugës që kalon nëpër fshatrat Prejlep, Prokolluk dhe Irzniq, si dhe projekti për rrugën e Bjeshkës së Strellcit, shkruan sot Koha Ditore.
Sidomos projekti për zgjerimin e rrugës kryesore të Deçanit, që shtrihet në segmentet rrugore të rrugëve “Dëshmorët e Kombit” dhe “Luan Haradinaj” konsiderohet nga komuna si një projekt i rëndësishëm kapital, më të cilin zgjerim pritet të eliminohen problemet e mëdha të trafikut në këtë rrugë nga hyrja në Deçan nga Peja deri në dalje në drejtim të Gjakovës.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)