Arbëri

Mungesa e ajrosjes në objektin e arkivit rrezikon pasurinë jetike të qytetit të Klinës

Me të nisur lufta në Kosovë, shumë nga dokumentet arkiv të institucioneve u dërguan nga forcat paramilitare në Serbi.

Ishte arkivi i Komunës së Klinës e vetmja që i shpëtoi plaçkitjes.

Në të arriti t’i mbijetojë kohës dokumenti, më i vjetri që nga viti 1931, së bashku me mbi 1800 dokumente e harta të tjera, të cilat pasqyrojnë historikun e pronave të qytetit, raporton KTV.

Drejtori i Administratës në Komunën e Klinës, Binak Sylaj, vlerëson se janë pasuri jetike për qytetin.

Por, ato rrezikojnë të dëmtohen në vendin se ku qëndrojnë. Kjo, për shkak se me ndërtimin e objektit të ri të komunës, para shtatë vjetësh, arkivi ishte lënë pa sistem të ajrosjes.

Më së shumti nga kjo gjendje po rrezikohet Drejtoria e Kadastrës.

Në të tregojnë se është bërë problem edhe skanimi i dokumenteve dhe hartave.

Andaj, kanë provuar ndryshimin e hapësirës së tyre brenda komunës.

Për objektin e Komunës, që ndryshe njihet si Shtëpia e Bardhë e Klinës, janë investuar 2 milionë euro.