Rahovecianët paralajmërojnë protesta masive kundër variantit të “Autostradës së Dukagjinit” Foto: Koha / ilustrim

Rahovecianët paralajmërojnë protesta masive kundër variantit të “Autostradës së Dukagjinit”

07 March 2019 10:51

Këshilli i qytetarëve të komunës së Rahovecit, i formuar së fundmi, po vazhdon të kundërshtojë draft variantin e “Autostradës së Dukagjinit” për pjesën e kësaj komune të propozuar nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetari i Komunës, Smajl Latifi.

Përmes një komunikate për media, ky Këshill njofton se me datën 04.03.2019 ka mbajtur një takim me Latifin dhe stafin e tij për të sqaruar problemet me të cilat do të ballafaqohen qytetarët dhe shumica e fshatrave përreth kësaj komune për draft variantin e propozuar, Variantin 6, transmeton Koha.net.

“Këshilli, i cili është duke kundërshtuar Variantin 6 apo thënë ndryshe variantin më të keq të mundshëm për Komunën e Rahovecit, ka ftuar kryetarin Smajl Latifi që t’i bashkëngjitet kësaj iniciative të qytetarëve dhe të mbrojë interesat e tyre”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu, nga ky takim, Këshilli konkludon se Latifi nuk dëshiron të mbrojë interesat e qytetarëve por të një klani të caktuar”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu, në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e kompanisë projektuese për “Autostradën e Dukagjinit”, të cilët thonë se kanë kryer analiza të fizibilitetit por që Këshilli i quan ato trillime dhe manipulim me qytetarët e Rahovecit.

“Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e kompanisë projektuese, të cilët në prani të kryetarit Latifi kanë pohuar se kinse kanë bërë analiza të fizibilitetit për të gjitha variantet. Këto pohime për Këshillin janë vetëm trillime dhe manipulim me qytetarët. Po ashtu, ata nuk kanë bërë as analiza gjeologjike, gjeodezike, analiza rreth dëmtimit të tokave bujqësore, analiza rreth kostove të shpronësimeve, analiza ekonomike – përfitimet ose humbjet e mundshme”, shkruan në njoftim. “Po ashtu, përfaqësuesit e kompanisë projektuese kanë thënë se janë disa persona që e kanë shtyrë përpara Variantin 6, pa ndonjë analizë dhe studim të mirëfilltë”, thotë Këshilli.

Ky Këshill thotë se ‘Varianti 6’ është propozim i një klani të caktuar i cili nuk e ka problem dëmtimin dhe betonizimin e lumit Drini i Bardhë.

“Kryetari Latifi nuk e ka problem faktin se qytetarët e Rahovecit kyçjen më të afërt në ‘Autostradën e Dukagjinit’ do ta kenë rreth 14 kilometra ndërsa disa fshatra përreth mbi 25 km, si dhe do t’i ndalohet qasja në lumin Drini i Bardhë. Po ashtu, nuk e ka problem se me Variantin 6 do të dëmtohen tokat bujqësore dhe se do të bëhen shkeljet ligjore siç është rasti me Drinin e Bardhë pasi ai është i mbrojtur me ligj”, shkruan tutje në njoftimin e Këshillit.

Gjithashtu, Këshilli thotë se të gjitha qytetet që do të përfshihen në “Autostradën e Dukagjinit”, nga Istogu deri te Gjakova, do të kenë kyçje nga qendra e qyteteve në një distancë prej 1.5 deri 2.5 km, ndërsa Rahovecit me disa fshatra do t’i mohohet një privilegj i tillë.

“Ne si Këshill kemi vendosur të marrim hapa tjerë në parandalimin e kësaj padrejtësie e cila është duke iu bërë Rahovecit. Si masë për parandalimin e kësaj padrejtësie historike e cila është duke iu bërë Komunës sonë, në ditët në vijim do të kërkohen takime me institucionet shtetërore, po ashtu do të fillohet me organizim të peticionit dhe të protestave masive duke bllokuar rrugët kryesore”, përfundon njoftimi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Liki08/03/2019 15:22

Hahah çfare njerez te marre jane, po mos deshet autostraden te dera me ua pru bre budall popull.

Shto koment

Të ngjashme