Arbëri

Drejtoritë komunale kërkojnë zgjidhje ligjore për rastet emergjente të zëvendësimit të mësimdhënësve

Nxënësit e klasës së parë dhe të dytë, në shkollën fillore“Vëllezërit Frashëri” në Lipjan, dy javët e shkuara kanë mbetur pa mësimdhënës.

Për shkaqe shëndetësore, mësuesit e tyre është dashur ta lënë mësimin dhe të marrin pushim mjekësor.

Por, në raste të tilla emergjente të sëmundjeve apo nevojave të ndryshme të stafit, shkollat nuk mund të angazhojnë mësimdhënës shtesë me procedurë të shpejtë, raporton KTV.

Për të mos i humbur orët e mësimit, drejtoria është dashur t’i lusë mësimdhënësit e tjerë që, pa pagesë dhe në mënyrë vullnetare, t’i zëvendësojnë kolegët e tyre.

Drejtori i kësaj shkolle, Jakup Bahtiri, thotë se situata të tilla u shkaktojnë vështirësi të shumta në menaxhimin e punës.

Sipas tij, edhe zëvendësimi i orëve të mësimit nga stafi i shkollës nuk është efektiv, sepse ka mësimdhënës që u duhet pastaj të mbajnë orë në dy ndërrimet e mësimit .

Në drejtorinë për Arsim në Lipjan thonë se assesi nuk mund të marrin mësimdhënës të rinj pa i respektuar procedurat e rregullta ligjore të cilat marrin muaj të tërë deri në përzgjedhje.

Sipas Rasim Hasanit, institucionet përgjegjëse në nivelin qendror duhet të bëjnë një zgjidhje ligjore që t’u mundësohet drejtorive komunale të marrin mësimdhënës rezervë.

Ministria e Arsimit ka konfirmuar se konform legjislacionit në fuqi do të nisin procedurat rreth kësaj çështje.

“Sigurisht që kjo është një çështje të cilën e kemi marrë me shqetësim edhe ne, madje e kemi diskutuar edhe në takimet e rregullta me drejtorët e DKA-ve. Do të shohim që konform legjislacionit në fuqi t’i nisim procedurat që të punojmë rreth kësaj çështjeje, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me komunat dhe ministritë relevante”, ka thënë Valmir Gashi, këshilltar i Ministrit të Arsimit.