Arbëri

Këshilltarët komunalë të Fushë-Kosovës ankohen për mungesë të kushteve

Këshilltarët komunalë të Fushë-Kosovës janë ankuar se nuk po kanë kushte për punë. Ata kanë thënë se pos mungesës së ngrohjes në sallën e mbledhjeve, vërejtje kanë pasur edhe për mospublikimin e audioincizimeve të mbledhjeve, dhe po ashtu për vonesën e ekstrakteve të procesverbaleve. Driton Ademi nga Nisma ka thënë se Kuvendi duhet të tregojë nëse ka kapacitete për punë.

“Nuk i kemi audioincizimet, nuk i kemi as ekstraktet e procesverbaleve të dy mbledhjeve të kaluara, nëse nuk ka kapacitete pune Asambleja duhet të tregojë”, ka thënë ai, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe këshilltari i PD-së, Ali Ismaili, ka pasur vërejtje për mungesën e ngrohjes jo vetëm në sallën e Kuvendit Komunal, por në tërë objektin e administratës.

“Kushte për punë nuk kemi. Sot është ftohtë dhe ne po ‘narthim’, jo veç na po krejt administrata po ‘nerth’. Po kemi problem me zërimin që nuk po punon...”.

Ndërkohë, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vjollca Konjusha, ka thënë se njëri zyrtar ligjor është në pushim mjekësor dhe nuk kanë mundur t’i sjellin procesverbalet e dy mbledhjeve.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)