Arbëri

Mitrovica pritet të bëhet me park energjetik, me vlerë prej 169 milionë euro

Është mbajtur sot takimi i radhës i Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, me ç’rast janë shqyrtuar kërkesat e dy investitorëve strategjikë dhe njoftimi për kompletimin e dokumenteve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë takim i udhëhequr nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Më tutje thuhet se në këtë takim është formuar Grupi Operacional për shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit të aplikuesit, pjesë e të cilit është zgjedhur edhe Komuna e Mitrovicës, respektivisht drejtori i Urbanizmit, Besnik Beka.

Me këtë rast Bahtiri bën të ditur se projektet zhvillimore për qytetin e Mitrovicës po vazhdojnë edhe në këtë vit ku do të ketë investime qindra milionëshe në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike.

“Në kuadër të këtij projekti në qytetin e Mitrovicës do të ndërtohet parku energjetik ku do të prodhohen 105 MW energji elektrike përmes 30 turbinave me erë. Ky investim nga kompania “Sowi Kosovo LLC” planifikohet të bëhet në shifrën prej 169 milionë euro dhe do të jetë më i madhi i bërë që nga pas lufta në fushën e investimeve në energji alternative”, thuhet në komunikatë.

Shala bëri të ditur se investitori i parë strategjik i ka përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional, që u themelua sot me vendim të grupit ndërministror. Ai po ashtu tha se fal ndryshimeve të bëra në aktet nënligjore të Ligjit për Investime Strategjike, Kosova gradualisht po kthehet në vend atraktiv për investitorët e huaj.