Shqiptarët e veriut 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë ndihen refugjatë në qytetin e tyre

Shqiptarët e veriut 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë ndihen refugjatë në qytetin e tyre

Donika Voca-Gashi 17 February 2019 21:48

Kosova po feston 11 vitet e shtetësisë së saj. Por, të drejtën për të lëvizur lirshëm dhe për të qëndruar në pronat e tyre, nuk e kanë të gjithë qytetarët e saj.

Ata që qëndruan në pronat e tyre, këtu në Mitrovicë Veriore, çdo ditë e kalojnë me frikën se mund të jenë cak i sulmeve, raporton KTV.

E, shumë të tjerë u larguan dhunshëm nga pronat e tyre, për të mos u kthyer as 20 vjet pas përfundimit të luftës.

Përveçse nuk arriti asnjëherë të rindërtojë shtëpinë e tij të djegur në luftë, për shkak të frikës dhe sulmeve nga serbët, Ramadan Istrefi as sot nuk mund t’i afrohet pronës së tij.

Çdo ditë e më shumë, Serbia, sipas Istrefit, po punon që kjo zonë të shndërrohet në zonë të pastër etnikisht.

Sipas tij, derisa Serbia ndihmoi financiarisht serbët që të ndërtojnë në këtë pjesë, të njëjtën nuk e bënë institucionet e Kosovës.

Që nga viti 2013, njëra ndër lagjet që para luftës ishte e banuar me shumicë shqiptare, lagjja Kroi i Vitakut, është arritur që të kthehet vetëm një familje. Derisa janë mbi 70 familje të tjera të kësaj lagjeje që vazhdojnë të jenë të zhvendosura në jug të Mitrovicës.

Por, jeta e atyre që u detyruan pa dëshirë të zhvendosen në jug të qytetit, nuk është fare e lehtë.

Shumica prej tyre jetojnë në kushte tejet të rënda.

Në 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, më shumë se kurrë, këto komuna janë bërë temë diskutimi në nivele të larta të politikës.

Presidenti Hashim Thaçi, ka pranuar se do të pranonte që në bisedime të pajtohej me Serbinë për një ‘korrigjim të lehtë të kufirit’, derisa ai asnjëherë nuk ka përmendur se Kosovës do t’i takojnë edhe tri komunat me shumicë serbe në veri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme