Arbëri

Drejtori i QKMF-së në Istog akuzohet se po mban jashtëligjshëm pozitën vetëm pse ka përkrahjen e kryetarit të Komunës

Lidhjet partiake dhe afërsia me kryetarin e Istogut, Haki Rugova, i kanë ndihmuar stomatologut Shefqet Mehmeti, që për dhjetë vjet radhazi të jetë në krye të qendrës kryesore të mjekësisë familjare.

Mehmeti, në bazë të konkursit, ishte zgjedhur vetëm për një mandat katërvjeçar, si drejtor në këtë QKMF, derisa, tash e gjashtë vjet, ai vazhdon të qëndrojë në këtë pozitë kundërligjshëm, raporton KTV.

Pretendohet se një mandat i plotë atij i është vazhduar vetëm pse e ka përkrahjen e kryetarit të komunës, pa u përfillur asnjë procedurë, kurse tash e dy vjet është ushtrues detyre.

Ligji për Shërbimin Civil e specifikon qartë se zyrtarët e lartë drejtues dhe zyrtarët drejtues në shërbimin civil, në pozitën e ushtruesit të detyrës, nuk mund të qëndrojnë më shumë se tre muaj.

Kjo ka bërë që stafi mjekësor i kësaj qendre të kërkojë dorëheqjen e tij.

Arsye tjetër e mjekëve që të mbledhin nënshkrimet kundër drejtorit, thonë se janë edhe sjelljet arrogante të tij, mosrespektimi i orarit të punës, keqmenaxhimi si dhe favorizimi i punëtorëve të caktuar.

Kohavisioni ka kontaktuar edhe me drejtorin, por ai ka thënë se është jashtë qytetit dhe nuk mund të flasë për këtë çështje.

Në drejtorinë e Shëndetësisë, tashmë e kanë pranuar shkresën me nënshkrimet e 49 mjekëve, me të cilën kërkohet shkarkimi i drejtorit aktual të QKMF-së.

Sidoqoftë, në këtë institucion shëndetësor është emëruar edhe një mjek tjetër si zëvendësdrejtor, pozitë kjo e jashtëligjshme sipas mjekëve.