Arbëri

Vetëvendosje kritikon komunën e Gjilanit për gjendjen e rrugëve gjersa apelon për kujdes

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan ka zhvilluar një aksion duke vendosur një pankartë në qendër të qytetit të Gjilanit me të cilën u tërhiqet vërejtja shoferëve për rrezikun që u kanoset nga gropat të cilat gjenden në rrugë.

VV-ja është kritike e qeverisjes komunale ngase sipas tyre rrugët e Gjilanit nuk janë duke u mirëmbajtur dhe të cilat shkaktojnë probleme dhe shqetësime për banorët, raporton Koha Ditore. 

Aktivisti i VV-së, Adem Ajvazi ka akuzuar kryetarin e komunës së Gjilanit se nuk ka përmbushur detyrat në menaxhimin e proceseve në komunë. Thotë se interesi i qytetarëve është duke u shpërfillur nga ana e qeverisjes komunale.

“Sot e kemi organizuar këtë aktivitet, jo për t’i bërë thirrje kryetarit dhe institucioneve që të reflektojnë, sepse e kanë obligim ta bëjnë, por për t’i paralajmëruar qytetaret për vendet ku mund të kenë rreziqe nga gropat në rrugë. Këto gropa që dikur ishin të vogla, sot u rritën edhe për nga forma edhe për nga numri, e Gjilanit në vend se t’i rriteshin investimet e ndërtimet e infrastrukturës, i janë rritë gënjeshtrat, mashtrimet dhe manipulimet me qytetarët e vet. Afër 40 mijë vetura në Gjilan paguajnë çdo vit nga 10 euro taksë komunale për mirëmbajtjen e rrugëve. Nëse nuk po shfrytëzohen për sanimin e rrugëve, atëherë ku po shkojnë paratë e qytetarëve të Gjilanit”, ka thënë ai.

Sipas tij, komuna për shkak të shkeljeve ligjore nuk kishte arritur që të kontraktojë një kompani e cila do të merret me mirëmbajtje e rrugëve.

“Verës rrugët e dëmtuara dhe të pa mirëmbajtura, asnjëherë të pastruara, madje askush nuk ka qenë i përzgjedhur për t’i mirëmbajtur ato. Dhe e gjithë kjo bëhet me arsyetimin se nuk është zgjedhur tenderuesi që do ta bëje këtë, e duke harruar se janë vet ata që kanë shkelur rregullat e tenderit. Por sikur të mos mjaftoj kjo, kështu po ngjet edhe në periudhën e dimrit, rrugët nuk pastrohen nga bora dhe akulli, dhe për këtë kemi ankesa të shumta nga qytetarët, madje i kemi parë të publikuara edhe në rrjetet sociale, jo vetëm me fjalë por edhe me fotografi. Çështja e shtrimit të rrugëve, ka qenë prioritet i çdo qeverisje në Gjilan, por të jetë prioritet edhe për një “kryetar” që krenohet se po mbanë mandatin e tij të dytë, në fakt është dështim dhe turp karshi qytetarëve të komunës sonë”, ka thënë Ajvazi.

Ndërsa qeverisja komunale është zotuar se do të fillojë me sanimin e përkohshëm të gropave me kubëza në disa lagje të qytetit derisa të krijohen kushtet atmosferike për asfaltim të rrugëve.

“Do t’i sanojmë të gjitha gropat në qytet, ndërkaq sapo të krijohen kushtet atmosferike, do të fillojmë me ndërtimin e rrugëve në kuadër të programit Gjilani 2019 plus. Është përkushtim i kryetarit Haziri që ta heqim lloçin dhe vadat”, ka thënë drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça.

{gallery}