Kosovë

Stafi i Emergjencës në Lipjan kërkon hetim ndaj tre policëve që s’u morën me rastin e tyre

 

Stafi mjekësor në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan dhe subjekti më i madh opozitar, PDK-ja dega në Lipjan, kanë kërkuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës të nisin hetime ndaj tre zyrtarëve policorë në Lipjan të cilët nuk kanë hapur rast në lidhje me një fjalosje midis familjarëve të kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, dhe stafit mjekësor që ndodhi në fund të javës së kaluar.

Në këtë fjalosje ishte i përfshirë edhe vetë kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, derisa po trajtohej një familjar i tij, dhe në mbrojtje të kryetarit sipas stafit mjekësor ka dalë edhe drejtori i QKMF-së, Agim Krasniqi, duke i kërcënuar infermierët, doktorët dhe vozitësit e Emergjencës me arsyetimin se familjarët e kryetarit të komunës duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë në dhomën personale të mjekut. Stafi mjekësor në këtë institucion tanimë ka kërkuar nga hetuesit e Inspektoratit të Policisë së Kosovës që t’i vëzhgojnë kamerat e sigurisë të datës 17.01.2019 nëpërmjet të cilave pasqyrohet më së miri sjellja e policëve dhe pushtetarëve, shkruan sot Koha Ditore.