Kosovë

Shtatëfish më pak vizita mjekësore shtëpiake për nënat dhe fëmijët në Gjilan

 

Është shënuar rënie drastike e numrit të vizitave mjekësore shtëpiake për nëna e fëmijë në Komunën e Gjilanit. Për më shumë se shtatë herë më pak vizita mjekësore nëpër shtëpi janë realizuar, në krahasim me planifikimin për vitin 2018 në Komunën e Gjilanit.

55 punëtorë shëndetësorë të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjilan (QKMF) të cilët ishin të angazhuar në këtë program, brenda vitit 2018 do të duhej të realizonin 6 mijë e 722 vizita shtëpiake, mirëpo ata kishin realizuar vetëm 857 vizita. Ishte paraparë që të vizitoheshin 3 mijë e 270 fëmijë të moshës 0 deri në 3 vjeç, mirëpo ishin vizituar vetëm 605 fëmijë. Nga vizitat që ishin realizuar, numri i fëmijëve të cilët ishin referuar tek specialist ishte 45.