VV-ja vlerëson se pika e zezë në Gjilan është zyra e prokurimit

VV-ja vlerëson se pika e zezë në Gjilan është zyra e prokurimit

Feim Azemi 23 January 2019 22:23

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan vlerëson se pushteti komunal ka ngecur në realizimin e mbi 15 projekteve të cilat ishin të paraparë për vitin 2018. Ata kanë akuzuar kryetarin e Gjilanit se nuk ka bërë zgjidhje për trajtimin e ujërave të zeza ku edhe më tej derdhen në zonën urbane ashtu siç derdhen edhe në zonën rurale duke shkaktuar kundërmim.

Sipas këtij subjekti politik është menaxhimi i dobët i proceseve të cilat kanë ndikuar edhe në ngecjen e investimeve në infrastrukturë. Ata akuzojnë pushtetin komunal se nuk kishte shkëputur kontratat me operatorët të cilët nuk kishin përmbushur detyrimet e tyre për projektet të cilat ishte dashur që të përfundohen brenda afateve kohore. Këshilltarët e VV-së kanë paraqitur shqetësimet e tyre në konferencën për shtyp.

Këshilltari komunal nga radhët e VV-së, Nevzad Isufi deklaron se kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri kishte shkaktuar vonesa në emërimin e drejtorëve komunal në fillim të vitit 2018 të cilat kanë ndikuar që shumë procese të mbeten peng. Ai ka deklaruar se punonjësit në zyrën e prokurimit në Gjilan nuk janë profesionit duke pretenduar se janë punësuar me nepotizëm, raporton Koha Ditore.

prokurimi që është pika më e zezë e kësaj qeverisje komunale dhe zyra e prokurimit funksionon me ushtrues detyre i cili është punësuar me nepotizëm duke qenë xhaxhai i kryesueses së Kuvendit Komunal dhe njëkohësisht kemi plot punëtorë të punësuar me kontratë në vepër. Dhe atyre u lihet në dorë një pjesë e madhe e buxhetit dhe e cila shkon në projekte. Është dashur që operatorëve të anulohet kontrata për shkak të mos zbatimit me kohë të projektit këtu e kemi shembull palestrën sportive në fshatin Zhegër. Mirëpo komuna ka nënshkruar një aneks kontratë dhe në këtë mënyrë e ka vazhduar afatin e kontratës. Mirëpo nuk është specifikuar koha e përmbushjes së kontratës. Dhe një pjesë e projekteve kanë filluar gjysmën e vitit të dytë të 2018 që nënkupton që për pjesën e parë gjersa nuk ka qenë e formuar qeverisja komunal nuk ka pasur askush të shpall tenderë për projekte”, ka thënë Isufi i cili ka përmendur edhe zvarritjen e projekti në lagjen “Fehmi Agani”, gjendjen e rrugës në zonën e Fidanishtes dhe në zonat e tjera.

Ndërkaq këshilltari komunal, Arianit Sadiku ka deklaruar se komuna nuk ka mundur të ofrojë zgjidhje për problemet e ujërave të zeza dhe ujësjellësit.

“Lutfi Haziri prioritet të fushatës së tij zgjedhore pati zgjidhjen e problemit me ujërat e zeza në Komunën e Gjilanit. Premtoi ndërtimin e impianteve dhe kolektorëve, por ne realitet probleme serioze me kanalizimin akoma edhe sot kanë Zhegra, Velekinca, Uglari, Shillova, Poneshi, Mireshi, Llashtica, Livoqi i Ulët, Livoqi i Epërm, Cernice, e në mesin e tyre edhe disa lagje në qytet kanë probleme me kanalizimin siç janë: Tregu i Gjelbër, Rruga e Prishtinës, Reshat Ymeri, Ramiz Cernica, Dheu i Bardhe, Dardania I. Të njëjtat vende nuk kanë qasje në rrjetin e ujësjellësit, tjetër premtim i Hazirit, i cili poashtu mbeti në sirtarin e premtimeve të fushatës zgjedhore. Biles, pikë konkrete e premtimeve të tij ka qenë funksionalizimi i gjithë ujësjellësve nëpër fshatra ku nuk janë të lidhur me burimin e ujit, si dhe zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit në të gjitha vendbanimet rurale. As kjo nuk u bë në 2018-tën”, ka thënë Sadiku.

Ndërkaq Xhelal Hajrullahu, këshilltar komunal ka deklaruar se qeverisja komunale ka heshtur për punimet ilegale në oborrin e ambulantes në fshatin Zhegër. Dhe se ka përmendur edhe ndërprerjen e punimeve për palestrën sportive.

“Drejtoria e inspekcionit në verën e vitit të kaluar ka ndërprerë punimet ilegale në oborrin e ambulancës në Zhegër, personave përgjegjës bashkë me dënimin e shqiptuar ju është dhanë një afat kohor prej 30 ditësh të kthehet në gjendjen e mëparshme, por kjo nuk ka ndodhur. Deri me tani asnjë kallëzim penal nuk e kemi nga komuna. E pos kësaj, në vitin 2016, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, së bashku me komunën e Gjilanit, kishin premtuar se do të nisin punimet për ndërtimin e palestrës sportive në Zhegër. Kryetari Haziri ka nënshkruar kontratën me vlerë rreth 2 milionë euro. Fshati Zhegër akoma nuk e ka të finalizuar Palestrën e Sporteve, e cila as afër finalizimit nuk është”, ka thënë Hajrullahu.

Kurse këshilltarja komunale Arbëreshë Kryeziu ka folur për mungesën së investimeve në infrastrukturën shkollore si dhe mos realizimin e zotimit për ofrimin e shujtave shkollore. Ajo ka përmendur edhe zvarritjen e ndërtimit të shkollës në fshatin Haxhaj dhe përmes fotos ka prezantuar gjendjen në shkollën e fshatit Uglar.

“Gjatë fushatës zgjedhore, gjithashtu premtoi ofrimin e shujtave për nxënës të ciklit të parë të shkollave fillore. Premtoi vendosjen e kamerave në të gjitha shkollat, premtoi terrene të përshtatshme sportive në të gjitha shkollat, premtoi më shumë bursa për nxënës dhe student, premtoi ndërtimin e hapësirave të banimit për student”, ka thënë ajo.

Kurse këshilltarja komunale, Arjeta Rexhepi ka akuzuar drejtorinë e kadastrit se është duke i mbrojtur uzurpatorët ngase edhe më tej nuk ka publikuar listën e uzurpimeve në Gjilan.

Gjithashtu ajo ka akuzuar qeverisjen komunale se në sektorin e shëndetësisë ka punësuar militantët partiak.

“Jemi dëshmitarë edhe të 11 punësimeve që së fundi u bënë në këtë fushë, e që ishin që të gjitha punësime të familjarëve, të afërme e militantëve partiak. Ndërsa,kur jemi te uzurpimet, drejtori i gjeodezisë, pronës dhe kadastrës thotë se janë 36 prona komunale të uzurpuara ndërsa kryetari i komunës thotë se janë 56 prona. Me mos paraqitjen e emrave të uzurpatorë tregojnë se po i mbrojnë uzurpatorët” ka thënë Rexhepi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme