Në Zallq të Istogut, derisa një person po hapte një varr të ri, has në mbetje të dyshimta mortore

Urim Isma Urim Isma 19 January 2019 20:31

Në kohën kur një banor ishte duke hapur një varr të ri në fshatin Zallq të Istogut, ai vërejti një mbetje të dyshimtë mortore.

Me këtë rast, ka hasur në disa gjurmë të një trupi të pajetë, të cilat sipas tij, nuk kanë qenë aty më parë, raporton KTV.

I mbuluar me batanije, varri me gjatësi prej rreth 80 centimetra dhe i thellë rreth 60 centimetra, e ka bërë edhe më të dyshimtë këtë mbetje mortore.

Gani Shala, Kryetar i fshatit Zallq, tregon se punëtori i cili e ka ndihmuar për hapjen e varrit, ka hasur fillimisht në një kafkë njeriu, e pastaj edhe në disa eshtra të cilat sipas tij, ishin të kohëve të fundit.

Sipas Shalës, Policia e Istogut vetëm e ka lokalizuar pjesën e varrit, por nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim tjetër.

Në Policinë e Pejës nuk kanë dhënë detaje për rastin, pasi që sipas tyre, kompetencat për këtë rast i kanë institucionet në Prishtinë.

Ndonëse nuk kanë mohuar se mund të jenë eshtra të ndonjë të pagjeturi në luftën e fundit në Kosovë, hetimet janë duke vazhduar.

Por, sipas dëshmitarëve të rastit, mbetjet mortore lënë të dyshojnë se trupi është varrosur pak muaj më parë.

Ata thonë se eshtrat që i kanë parë, ishin të kapura me pjesë mishi.

Por, në Policinë e Kosovës, respektivisht në Departamentin për Personat e Pagjetur kanë thënë se rasti është duke u hetuar.

Madje, ndonëse kanë kaluar më shumë se 6 javë, Policia dhe njësitet përgjegjëse nga Mjekësia Ligjore nuk kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekspertizën e nevojshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme