Bizneset njoftohen me skemën e granteve të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal

Bizneset njoftohen me skemën e granteve të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal

Ilir Osmani 19 January 2019 09:23

Në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës, Ministria e Zhvillimit Rajonal të premten ka mbajtur një takim informues me qytetarët dhe bizneset e interesuara të gjashtë komunave të rajonit ekonomik- perëndim: Pejë, Gjakovë, Junik, Deçan, Istog dhe Klinë, për skemën e grandeve nga programi për zhvillim te balancuar rajonal për vitin 2019.

Në këtë takim të mbajtur në kuadër të procesit të shpalljes së thirrjes për skemën e re të grandeve, aplikantëve potencial të pranishëm në këtë takim, drejtori i Departamentit për Zhvillim Rajonal, Besim Kamberaj, ua ka prezantuar thirrjen për propozime në programin e zhvillimit të balancuar rajonal, si dhe kushtet, kriteret e aplikimit, si dhe mënyrën e aplikimit.

“Për dallim nga viti i kaluar, kur shuma e grandit ishte 1.4 milionë euro, si rezultat i implementimit të suksesshëm, sivjet kjo shumë është rritur për një milion euro, në 2.4 milionë euro në nivel vendi”, tha Kamberaj.

Mundësi të fitimit të një grandi me projektet e tyre kanë ndërmarrjet që përkrahen, që punojnë në punime dhe përpunime të produkteve, si dhe në shërbimet komerciale, tregti me pakicë dhe shumicë, ndërtimtaria dhe bujqësia. Kurse interes i veçantë, siç e potencoi Kamberaj me këtë skemë të grandeve, do t’u kushtohet projekteve që kanë mundësinë për të zëvendësuar produktet e importit dhe të krijojnë eksporte. Grandet do të ndahen në tri grupe apo lote.

Leman Hatashit, drejtoreshë në Agjencinë për Zhvillim Rajonal për zonën perëndimore të vendit, e cila agjenci po e përkrah Ministrinë në lansimin e kësaj grand-skemës, tregoi se për lotin e parë parashihet të ndahen shuma prej 2 mijë deri në 5 mijë euro për persona fizikë që duan të hapin biznese të reja. Me lotin e dytë, siç tregoi Hatashi, do të ndahen shuma prej 5 mijë deri në 15 mijë euro për biznese që nuk janë më të vjetra se dy vjet të regjistruara. Kurse loti i tertë është për bizneset tjera dhe do të mbështeten projektet e tyre me shuma prej 15 mijë deri në 25 mijë euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme