Arbëri

Demolohen stolat të vendosur në shtegun Kala-Pasha Çeshme në Prizren

Stolat nga betoni, të vendosur kohë më parë përgjatë rrugës Kala-Pasha Çeshme janë shkatërruar.

Autoritetet lokale, që kanë investuar për realizimin e këtij projekti, kanë shprehur dyshimin se shkatërrimi i tyre është bërë nga prerësit pa leje të pyjeve, me qëllim që të qarkullonin me mjetet e tyre transportuese. Menaxhmenti i Komunës së Prizrenit ka kërkuar që qytetarët t’i raportojnë rastet e tilla, në mënyrë që organet e rendit t’i zbulojnë keqbërësit dhe t’i çojnë para drejtësisë.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, duke reaguar lidhur me këtë ngjarje ka shprehur qëndrimin se prona publike u takon të gjithë qytetarëve, shkruan sot Koha Ditore.

“Në vend se të përkujdesemi dhe ta ruajmë pronën publike, persona të papërgjegjshëm po e dëmtojnë atë qëllimisht. Një gjë e tillë ka ndodhur së fundmi përgjatë rrugës Kala - Pasha Çeshme, ku në mënyrë vandale janë shkatërruar stolat të cilat ishin vendosur 2 javë më parë. Këto shkatërrime dyshohet se janë bërë qëllimisht nga prerësit ilegalë të pyjeve, për të kaluar më lirshëm me mjetet e tyre transportuese gjatë bartjes së drunjve”, ka thënë Haskuka.

(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)