Arbëri

Komuniteti RAE në Prizren kërkon prioritet në punësim

“Nevo Koncepti” ka shprehur qëndrimin se çështja e punësimit të qytetarëve nga radhët e komuniteteve: rom, ashkali dhe egjiptian duhet të trajtohet me prioritet nga institucionet ekzistuese në Prizren. Sipas aktivistëve të kësaj organizate, qasja në punësim për komunitetin RAE paraqet një sfidë serioze, meqë sigurimi i të ardhurave të qëndrueshme është një prej parakushteve për jetesë të dinjitetshme.

Tringa Kasemi nga OJQ “Nevo Koncepti” ka theksuar se kjo organizatë gjatë këtij viti ka zbatuar projektin: “Përmirësimi i dialogut ndërmjet punëtorëve të komuniteteve: rom, ashkali dhe egjiptian dhe aktorëve socio-ekonomikë”, shkruan sot Koha Ditore.

“Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i bashkëpunimit dhe komunikimit të punëtorëve të komuniteteve: rom, ashkali dhe egjiptian dhe aktorëve kryesorë relevantë në Komunën e Prizrenit, në fushën e punësimit dhe të drejtave të punëtorëve të këtyre komuniteteve; përmirësimi i kushteve të punës së punëtorëve; ndërmjetësimi dhe reagimi në raste të shkeljes së të drejtave të tyre. Po ashtu është synuar krijimi i mundësive për përfaqësimin e këtyre punëtorëve në sindikatat ekzistuese në Komunën e Prizrenit”, ka thënë Kasemi.

Sipas saj, gjatë vitit 2018 është arritur që 200 persona të komuniteteve: rom, ashkali dhe egjiptian të përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij projekti.

Çështja e punësimit të këtyre komuniteteve është një nga fushat e rëndësishme të Strategjisë Kombëtare për përfshirjen e komuniteteve RAE në shoqërinë Kosovare 2017-2021...(Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)