Arbëri

Mësimdhënësi punësohet zv.drejtor i Stacionit të Autobusëve në Ferizaj

Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Ferizaj, nëpërmjet një komunikate shtypi , ka akuzuar qeverisjen lokale për punësime të vazhdueshme me ngjyrime politike.

Sipas LDK-së, qeverisja lokale gjatë periudhës së fundit ka punësuar edhe një militant (G. R) si zëvendësdrejtor në kompaninë publike “Stacioni i autobusëve” në Ferizaj, i cili në po të njëjtën kohë punon edhe si mësimdhënës i edukatës fizike në shkollën fillore “Dëshmorët e Koshares” në Koshare, shkruan sot Koha Ditore.

“Zëvendësdrejtor në një kompani publike dhe arsimtar i edukatës fizike me normë të plotë, mund të jesh në Ferizaj dhe për këto dy vende pune mund të marrësh dy paga të plota, megjithëse këto dy punë i bën në orarin e njëjtë, ndërkaq, kompania asnjëherë nuk ka pasur një zëvendësdrejtor dhe as vendin e tillë të punës, i cili është hapur enkas për të, duke ia zvogëluar pagën tërë stafit të kompanisë”, thuhet në komunikatën e publikuar të LDK-së.

Sipas këtij subjekti opozitar qeverisja lokale nuk ka kuadro profesionale dhe është e detyruar t’i shpërblejë jo profesionistët si kundërvlerë për votën e tyre klienteliste.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)