Menaxhmenti i Komunës së Prizrenit ka shprehur shqetësimin rreth qasjes së zyrtarëve të Ministrisë së Financave për mosekzekutimin e pagave me ndryshime të shumicës së shërbyesve civilë të kësaj komune, të cilëve u është harmonizuar koeficienti i pagave që prej muajit gusht të këtij viti.
Sipas drejtuesve të Komunës së Prizrenit, shërbyesit civilë të kësaj administrate po diskriminohen për arsye politike, pasi që raste të kësaj natyre ka pasur në ministri dhe komuna të tjera dhe ato janë jetësuar.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se një vit më parë, sapo e ka marrë detyrën njëra nga kërkesat e akumuluara ka qenë edhe çështja e koeficientit të pagave të shërbyesve civilë të Komunës së Prizrenit, që sipas tij, janë më të ulëtat në gjithë Kosovën, për shkak se numri më i madh i tyre janë punësuar në kohën kur këta koeficiente kanë qenë më të ulëta.
“Nga 340 shërbyesit civilë të Komunës sonë, pas analizës së gjendjes kemi parë se 288 shërbyes civilë janë nën koeficientet e duhura, në krahasim me komunat e tjera në Kosovë dhe me ato që shkruan në ligj”, ka thënë Haskuka, të premten, gjatë një konference për shtyp.
Ai ka theksuar se Drejtoria e Administratës ka punuar me të gjitha dikasteret e komunës dhe në fund ka përpiluar listën e punëtorëve me koeficiente të reja, ku ka dalë se harmonizimi prek 288 shërbyes civilë/ Fisnik Minci. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).