Komunarët e Graçanicës kanë akuzuar kolegët e tyre të Prishtinës se po ua sjellin qentë endacakë në territorin e tyre.
Zyrtarët komunalë serbë thonë se qentë endacakë në Graçanicë i kanë vaksinuar, por problemi më i madh, sipas tyre, është se qentë që kapen në Prishtinë gjatë natës dërgohen në territorin e tyre, shkruan sot Koha Ditore.
“Qentë endacakë janë problemi i të gjitha komunave në Kosovë...Komuna e Graçanicës ka vaksinuar qentë endacakë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Zyrës për informim të Komunës së Graçanicës.
“Për fat të keq, ky është problemi i të gjitha komunave dhe është e nevojshme që së bashku t’i qasemi këtij problemi. Problemi i madh për Graçanicën është se qentë endacakë që kapen në territorin e Komunës së Prishtinës shkarkohen brenda natës në territorin e Komunës së Graçanicës.
Ndërkohë, zyrtarët e Komunës së Prishtinës nuk janë përgjigjur rreth këtyre akuzave deri në orën 15:00 të ditës së premte, edhe pse pyetjet u janë dërguar nga dita e mërkurë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)