Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Hamzë Berisha, është shkarkuar të mërkurën nga pozita e drejtorit për shkak të performancës jo të mirë. Bashkë me të është suspenduar edhe anesteziologu Imer Sejdiu, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky i fundit është suspenduar shkaku i mungesës në vendin e punës. Vendimin për shkarkimin e Berishës e ka marrë Basri Sejdiu, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Hamzë Berisha më nuk do ta ushtrojë pozitën e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës. Pas shkarkimit të tij nga kjo pozitë, ai është caktuar mjek specialist në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës.
Lajmin për shkarkim e ka konfirmuar vetë Berisha në një bisedë për gazetën.
“Është marrë një vendim dhe arsyet janë të cekura në atë vendim. Unë e kam anën ligjore që të bëj ankesë pas këtij vendimi, dhe pas kësaj ankese do të shohim se çfarë do të ndodhë më tutje”, ka deklaruar Berisha./Drenushë Maxhuni
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)