Arbëri

Matoshi e Lluka premtojnë mbështetje për projektet në Gjilan

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kanë konfirmuar mbështetjen për projektet që po zhvillohen në Gjilan dhe ato që do të bëhen më 2019.

“Programet më të mëdha që i kemi në Gjilan janë përfundimi i shtratit të lumit ‘Mirusha’, sanimi i kapërdershëses në Përlepnicë, efiçienca e energjisë në tri shkolla, ndërkaq me Ministrinë e Mjedisit ne po planifikojmë edhe për ndërtimin e tri parqeve, pastaj rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në anën tjetër, Lluka ka thënë se kanë diskutuar edhe lidhur me ndërrimin e gypave të azbestit.

“Përveç projekteve që janë inkorporurar në buxhet për vitin 2019, ne jemi këtu për të intensifikuar bashkëpunimin për tërë rajonin e Gjilanit. Ka shumë projekte që ujërat kanë marrë fokus të veçantë dhe jemi të interesuar ta menaxhojmë më mirë këtë fushë. Jemi të interesuar që ta përmirësojmë aspektin e humbjes së ujit qoftë nga kyçjet ilegale, qoftë matjet e gabuara apo vjetërsisë së sistemit”, ka thënë Lluka, sipas njoftimit nga komuna e Gjilanit.

Ndërkaq Matoshi ka thënë se bashkë me komunën do të gjejnë zgjidhje për problemet e qytetarëve.

“Problemet që kryetari Haziri përballet çdo ditë e kanë vëmendjen edhe të Ministrisë së Mjedisit dhe së bashku do t’i japim zgjidhje përmes projekteve konkrete që ndikojnë direkt në jetën dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve në Gjilan. Një pjesë të tyre do t’i shohin tani dhe shumë më shumë do t’i shohin në vitin 2019. Më e rëndësishmja dhe më kryesorja është që Komuna e Gjilanit dhe “Hidromorava” kanë punuar fuqishëm në aspektin e avancimit të ndërtimit të impiantit për ujërat e zeza. Shpresojmë që sa më shpejtë të ndënshkruhet kontrata me BERZH’in”, ka deklaruar Matoshi.