Arbëri

Pastrohet lagja rome në Mitrovicë të cilën e kishte mbuluar bërlloku

Përveç varfërisë së thellë me të cilën përballen çdo ditë, romët jetojnë në një mjedis tejet të ndotur.

Lagja e romëve në Mitrovicë është ndërtuar së fundi, por është shndërruar shumë shpejt në një deponi bërlloku, raporton KTV.

Hajrie Sadiku e kalon jetën mes bërllokut. Ajo mbledh gjëra plastike, si shishe dhe mjete të tjera për të mbijetuar.

Por, ka pjesëtarë të komunitetit rom që janë shumë kritikë ndaj sjelljeve të këtij etniteti.

Fitim Krasniqi, anëtar i komunitetit rom, sot i është bashkuar aksionit vullnetar për ta pastruar lagjen e tij, por është i nervozuar që kjo hapësirë shumë shpejt u shkatërrua.

Në këtë hapësirë, komuniteti rom rrezikon të preket nga epidemi të ndryshme.

Vullnetarët sot janë munduar sadopak ta pastrojnë atë.

Pastrimin e ka ndihmuar edhe komuna e Mitrovicës.

Mbeturinat e këtij komuniteti nuk i marrin shërbimet komunale, për shkak se ata nuk i paguajnë faturat për këtë shërbim.

Për më tepër, e kanë vetëm një kontejner, ku bërllokun e gjuan e gjithë lagjja.