VV: Veseli e Rakiqi ia kthyen borxhin PSD-së në Kamenicë Foto: LVV

VV: Veseli e Rakiqi ia kthyen borxhin PSD-së në Kamenicë

27 October 2018 15:24

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit në Komunën e Kamenicës, ku dje Kuvendi Komunal atje, pas një debati që nisi nga ora 9 dhe përfundoi në orën 19, shkarkoi nga detyra kryesuesin e KK-së nga radhët e VV-së, Bajram Mavriqi.

VV thotë se pushteti lokal në Komunën e Kamenicës dhe qytetarët e kësaj komune po kalojnë në një fazë të vështirë, ndërsa thonë se qytetarët e Kamenicës i dhanë besimin një kryetari të ri të zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Qëndron Kastratit, i cili më pas, sipas tyre, e shpërdoroi këtë besim.

Sami Kurteshi i VV-së kujton se si më 9 janar të këtij viti, Qëndron Kastrati dha dorëheqje nga pozitat e tij drejtuese në Lëvizjen Vetëvendosje, por thotë se kurrë nuk dha dorëheqje nga të qenurit anëtar, dhe çka është edhe më e rëndësishme, thotë Kurteshi, nuk dha dorëheqje nga pozicioni i Kryetarit të Komunës së Kamenicës.

“Qëndron Kastrati e di mirë se këtë pozicion nuk do ta kishte fituar kurrë pa Lëvizjen Vetëvendosje dhe aktivistët e saj, dhe programin politik për zgjidhjen e problemeve në Kamenicë. Për më shume, ai bëri sikur qëndroi anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, deri sa ia pamë emrin në listën e Kryesisë së PSD-së, mbi katër muaj më vonë, në maj. Ai veproi tinëz për të ardhur deri në pushtet, dhe më tej veproi sërish në mënyrë tinëzare për ta konsoliduar pushtetin e tij në Komunë, duke vazhduar mashtrimin për pesë muaj me radhë”, ka theksuar Kurteshi, raporton Koha.net.

Kurteshi ngre akuza ndaj Kastratit dhe partisë së tij, PSD-së, në lidhje me veprimin e djeshëm në Kuvendin Komunal të Kamenicës.

“PSD-ja e Shpend Ahmetit dhe Qëndron Kastratit, dje morën një shpërblim personal nga Koalicioni Qeverisës i Kosovës, i përbërë nga PDK-AAK-NISMA-AKR dhe Listës ‘Srpska’. Meqenëse, PSD-ja është kthyer në patericën që po mban në këmbë këtë qeveri në pushtetin qendror, duke i bërë numrat për kuorum në Kuvend, atëherë kjo qeveri e delegjitimuar ia ktheu dje favorin PSD-së në Kamenicë, duke ia bërë Qëndron Kastratit numrat në Asamblenë Komunale për të shkarkuar kryesuesin e Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, Kadri Veseli dhe Goran Rakiqi ia kthyen borxhin Shpend Ahmetit dhe Qëndron Kastratit në Kamenicë. Mirëpo çmimin e këtij ‘borxhi’ në fund dihet se kush do ta paguajë: qytetarët”, potencoi Kurteshi.

Deputeti i VV-së, Kurteshi, thotë se si pjesë e këtij plani tinëzar të Qëndron Kastratit, më herët ai pati shkarkuar edhe një drejtoreshë të arsimit në Komunë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ajo kishte përmbushur brenda vitit të parë 6 prej 10 premtimeve për gjithë mandatin 4 vjeçar në sektorin e arsimit në Kamenicë. Në vazhdim të këtij sulmi, ai dje orkestroi shkarkimin e jashtëligjshëm të kryesuesit të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ekzistojnë një varg shkeljesh procedurale dhe ligjore nga momenti i nismës për këtë shkarkim e deri te realizimi, përmes një seance shtesë dhe të parregullt”, theksoi deputeti i VV-së.

Kurteshi tha po ashtu se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë asnjëherë në koalicion me PSD-në në Kamenicë dhe se për diçka të tillë nuk ka asnjë vendim nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes.

“Shkeljet që kanë ndodhur dje janë të papranueshme dhe me pasoja të rënda për qytetarët e Kamenicës. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të kundërshtuar shkeljet qe kane ndodhur. Lëvizja Vetëvendosje as nuk dorëzohet, as nuk tërhiqet, dhe do të angazhohet deri në fund për të sjellë drejtësi për qytetarët e Kamenicës dhe Kosovës”, përfundoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme