Arbëri

Haradinaj thotë se Obiliqi do të jetë qytet atraktiv për të gjithë qytetarët

Është një moment gëzimi sepse po ndodh një punë e qëlluar dhe e drejtë në vendin që i takon, te njerëzit që vërtet e meritojnë. Jemi në proces të investimeve në energji alternative, por edhe në teknologji të re me qymyr dhe po punojmë intensivisht që vetvetiu të mos hetohet ndotja, por të jetë Obiliqi një vend i pëlqyer nga të gjithë.

Kështu tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit të Obiliqit.

Fillimisht, kryeministri, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është pritur në takim nga kryetari i Komunës, Xhafer Gashi me bashkëpunëtorë, ku është njoftuar për projektet që janë në realizim si dhe për fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e sheshit të qytetit, projekt ky i bashkëfinancuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Obiliqit.

Me këtë rast, Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi është duke përkrahur projektet e komunave të Kosovës për përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Pas takimit me kryetarin e Komunës, kreu i ekzekutivit në vënien e gurthemelit të punimeve për ndërtimin e sheshit të Obiliqit, para qytetarëve të shumtë tha se sot Ligji për Obiliqin është realitet, dhe po shkohet kah një qytet atraktiv ku njerëzit do të ndjehen mirë në këtë komunë.

“Kemi punë të mëdha të pakryera në Kosovë, por nuk e harrojmë jetën e njerëzve tanë. Ne duhet ta përmbyllim procesin e INTERPOL-it, liberalizimit të vizave, shtrirjen e juridiksionit, ushtrinë veçse e kemi konfirmuar, dhe vota në Parlament ishte nderi më i madh që ia bëjmë vetes. Kjo është një porosi se ne jemi njerëz që dimë ta respektojmë jo vetëm të drejtën tonë, por edhe çdo palë tjetër”, tha kryeministri Haradinaj, duke siguruar se do të jetë pranë qytetarëve të kësaj komune në rrugëtim e sipër.

Duke përgëzuar punën e mirë dhe vizionin e kryetarit Gashi, kryeministri tha se nga një gjendje e pashpresë siç ka qenë, Komuna e Obiliqit tani po kthehet në një qytet atraktiv, duke theksuar se nuk ka harruar as premtimin për punësim në KEK për banorët e kësaj komune.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se sot po fillon një projekt madhor i domosdoshëm për qytetin e Obiliqit.

“Obiliqi po ndryshon. Sot në Obiliq janë 43 projekte në realizim, sot është projekti i 44-të, ndërsa të hënën do të fillojmë me realizimin e projektit të 45-të”, tha Gashi, duke potencuar se gjithë këto projekte po bëhen me përkrahjen e Qeverisë.

Me këtë rast, Gashi përmendi edhe Ligjin për Obiliqin, duke thënë se ky ligj do të krijojë mundësi për ndryshimin e gjendjes faktike të kësaj komune, jo vetëm në aspektin e ndërtimeve të vjetra, por edhe atë shëndetësorë.

Sheshi i Komunës së Obiliqit do ta mbajë emrin e kontribuuesit të madh të kësaj komune, Adem Preniqi.